Një herë, një nxënës erdhi tek Buda dhe i kërkoi t'i shfaqte një mrekulli, duke i thënë se vetëm atëherë do ta besonte. Buda i buzëqeshi me keqardhje dhe i shfaqi një mrekulli të madhe. Nxënësi i habitur thërriti:
– Tani jam i gatshëm të kaloj të gjitha shkallët e Nxënësisë nën udhëzimet e tua.
Por Buda i tregoi derën dhe i tha:
– Tani nuk më nevojitesh.
Një nga nxënësit e Budës e pyeti:
– Çfarë duhet të bëj, nëse dikush më godet?
Buda i tha:
– Nëse nga një pemë do të thyhej një degë që do të binte mbi ty, çfarë do të bëje?
Nxënësi tha:
– Kjo do të ishte një ndodhi e rastësishme, një koincidencë e thjeshtë që unë ndodhesha poshtë pemës kur dega binte. Do të vazhdoja rrugën time.
– Të njëjtën gjë duhet të bësh edhe kur dikush të godet. Ndoshta ka ndonjë problem, ishte i inatosur apo nuk mund të përmbante nervat e tij. Është e njëjta gjë sikur të binte mbi ty dega e pemës. Vazhdo rrugën, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Një grua, të cilës i kishte vdekur djali i saj i vogël, takon Budën. Gruaja qante dhe bërtiste se kishte humbur dashurinë e saj të vetme dhe se ishte e dëshpëruar dhe kërkonte ndihmën e Budës.
– Mirë do të ndihmoj, i tha Buda, por më parë shko në qytet dhe më sill një grusht grurë nga shtëpia ku nuk ka vdekur asnjeri.
Gruaja u nis menjëherë në qytet dhe filloi të kërkonte për një shtëpi të tillë, por kudo i thonin:
– Mund të të japim grurë sa të duash, por nga shtëpia jonë kanë vdekur njerëz.
Kjo përgjigje përsëritej çdo herë që pyeste, por gruaja ndalonte shtëpi për shtëpi me shpresën se do të ekzistonte të paktën një shtëpi e tillë.
Filloi të ngrysej, dhe gruaja filloi të kuptonte se vdekja ishte një pjesë e pandarë e jetës, se është pjesa e kundërt e jetës dhe se ndodh vazhdimisht. Vdekja nuk ishte veç një fatkeqësi personale dhe se nuk i kishte ndodhur vetëm fëmijës së saj.
Buda po vdiste. Dyzet vite me radhë ecte dhe mijëra njerëz e ndiqnin. Duke ju drejtuar nxënësve të tij, ju tha:
– Kjo është dita ime e fundit. Nëse keni diçka për të më pyetur, kjo është mundësia juaj e fundit. Ka ardhur momenti që secili të marrë rrugën e tij.
Një errësirë e thellë mbuloi nxënësit e tij. Ananda, nxënësi i tij i preferuar qante si foshnjë e vogël, dhe ndërsa lotët e tij i rridhnin nga sytë , godiste me dëshpërim gjoksin e tij.
– Të lutem Ananda pusho, i tha Buda.
– Çfarë do të bëjmë ne pa ty? Tha Ananda. Ishe këtu dhe të gjithë ne ecnim me dritën që ti lëshoje. Gjithçka ishte e sigurt. Harruam krejtësisht se ekzistonte errësira. Duke të ndjekur ty, gjithçka për ne ishte dritë. Tani që po ikën, çfarë do të bëjmë?
Dhe vazhdonte të qante dhe të ulërinte.
– Dyzet vite ecje në dritën time dhe akoma nuk arrite të nxjerrësh dritën tënde? Sa më shumë të ecësh nën dritën e huazuar, aq më shumë imiton dhe humbet dritën tënde. Jo, më mirë të iki!
Fjalët e fundit që Buda tha ishin:
– Të jeni dritë për vetët tuaja.
Një njeri i varfër që jetonte i dedikuar Budës, kishte një statujë shumë të vjetër dhe të bukur të Budës, një vepër artistike të shkëlqyer. Ky njeri e ruante si të ishte një thesar shumë i madh.
Një natë dimri të ftohtë, njeriu ishte i vetëm brenda kasolles së tij prej kashte. Bënte shume ftohtë dhe njeriu po dridhej nga i ftohti. Ndjente se po i afrohej vdekja. Nuk kishte asgjë për të ndezur zjarrin. Në mesnatë, kur njeriu filloi të ngrinte nga i ftohti, përpara tij u shfaq Buda dhe i tha:
– Përse nuk ndez zjarr me statujën time?
Statuja e drurit ndodhej në një cep tjetër të murit. Njeriu u frikësua, kujtoi se ishte një demon.
– Çfarë thua? Të djeg statujën e Budës? Kurrën e kurrës!
Buda buzëqeshi dhe i tha:
– Nëse më shikon tek statuja, atëherë më ke humbur. Unë jam brenda teje , jo brenda drurit. Nuk jam në objektin e lutjes, por ndodhem brenda atij që lutet. Unë dridhem brenda teje! Të lutem , digje statujën!
Një i ri pyeti një plak me flokë të gjatë gri:
– Gjysh, sa vjeç je?
– Sapo mbusha katër vjeç, i tha ai.
Djaloshi u habit, dhe pastaj duke qeshur i tha:
– Po bëni shaka, keni flokë gri dhe një mjekër kaq të gjatë, si mund të jeni katër vjeç?
– Po të të them të vërtetën, jam katër vjeç. Gjithë këto vite jetoja duke ndjekur fitimin, thoja gënjeshtra dhe nuk isha i sinqertë. Vetëm katër vite më parë njoha Mësimet e vërteta të Budës dhe njoha se çfarë do të thoshte Mirësi. Përzura pangopësinë, urrejtjen dhe budallallëkun, zvogëlova dëshirat e mia dhe me mendje të hapur po përpiqem të njoh veten time. Vetëm katër vitet e fundit jeta ime ka marrë kuptim dhe vetëm këto katër vite njoh se çfarë është paqja brendësore dhe gëzimi. Ti po më pyesje se sa vjeç jam. Meqenëse njoh jetën e vërtetë vetëm 4 vitet e fundit, të thashë me të vërtetë se jam katër vjeçar.
Një herë dikush pyeti Budën:
– A ekziston Zoti?
– Po, ju përgjigj Buda.
Të njëjtën ditë një tjetër njeri e pyeti:
– A e ekziston zoti?
Dhe Buda i tha:
– Jo.
Në fundin e ditës një njeri i tretë e pyeti Budën për ekzistimin e Zotit dhe Buda nuk ju përgjigj, vetëm ngriti gishtin e tij drejt qiellit. Të gjitha këto po i ndiqte nxënësi i tij, Ananda. Gjatë natës e pyeti Budën:
– Nuk mund të fle. Të lutem më thuaj, përse në të njëjtën pyetje dhe tre përgjigje krejt të ndryshme?
Buda i tha:
– Pasi ishin tre njerëz krejt të ndryshëm. I Pari besonte se Zoti nuk ekziston dhe kishte nevojë shumë që të forconte besimin e tij. Unë i thashë se Zoti ekzistonte, pasi për të arritur tek e Vërteta njeriu duhet të çlirohet nga ato në të cilat beson. I dyti besonte se Zoti ekzistonte. Atij i thashë se Zoti nuk ekzistonte. Unë jam këtu për bërë që mendja të fluturojë mbi besimin dhe se vetëm atëherë njeriu do të njohë të Vërtetën. I treti nuk ishte, as besimtar, as ateist, dhe kështu nuk ishte e nevojshme ti them as ’’Po’’ dhe as ‘’Jo’’, dhe për këtë dhe heshta, duke i thënë me këtë mënyrë ‘’Bëj si unë, domethënë zhytu në heshtje dhe do ta kuptosh’’.
Buda lajmëronte gjithmonë kur shkonte në ndonjë qytet apo fshat:
– Ju lutem mos bëni 11 pyetje që kanë të bëjnë me Zotin, shpirtin, vdekjen, të vërtetën….
Kur e pyesnin se përse? Ai u përgjigjej.
– Pasi këto pyetje nuk kanë përgjigje. Nuk është se nuk e di përgjigjen. Por fillimisht, nuk ekiston mundësia për të shprehur me fjalë përgjigjen e drejtë. E dyta, kuptimi i këtyre rëndësive nuk të bën shenjtor dhe as nuk udhëheq drejt ndriçimit. E treta, se këto pyetje lindin fetë të cilat pengojnë mirëkuptimin e realitetit të vërtetë. Mund të pyesni për zemërimin, për kurnacërinë, ngulitjen, shndërrimin. Pyesni për mënyrën e braktisjes së mendjes, për hir të meditimit…*
Sindarta sorollatej për gjashtë vite, ku vizitoi të gjithë të mençurit, shenjtorët, shkencëtarët, gurutë e ndryshëm, por megjithatë kishte mbetur i pakënaqur, pasi nuk ndjente ndryshime të thella. Rruga e heremitit, agjërimi, joga, të gjitha i dolën të kota.
Një herë Sindarta donte të kalonte lumin . Rrjedha e lumit ishte e fortë , ndërsa Sindarta ishte kaq i dobët sa që ju morën mendtë dhe ra në ujë. E mori lumi, por megjithatë, dha të gjithë fuqinë e mbetur për tu kapur në një rrënjë të një peme dhe rrjedha e lumit e dërgoi në breg.
Në një gjendje të tillë, duke mos pasur fuqi për të dalë nga lumi , Sindarta papritmas kuptoi se : ‘’Jeta është e ngjashme me oqeanin. Dhe nëse jeta është një oqean, atëherë të gjitha ato që bëj janë një gabim i madh. Nëse jam katandisur të mos jem i aftë të mos kaloj një lumë si do të mund të kaloj oqeanin e jetës? Rruga ime nuk është e duhura. Jam shumë i dobët, ndërsa për tu ngjitur tek Zoti, më nevojitet shumë energji’’.
Përfundimisht doli nga lumi, u shtri nën një pemë për tu çlodhur. Ajo natë kishte hënë të mbushur. Për herë të parë pas gjashtë vitesh jete prej heremiti, Sindarta ra në gjumë të thellë pa ëndrra. Në mëngjes kuptoi se nuk nxitohej për të arritur diku, nuk kishte ndonjë objektiv përpara tij, nuk duhej të bënte ushtrime. Ishte hera e parë që ndjente një liri të plotë. I shtrirë nën pemë vëzhgonte agimin e diellit. Shikonte mënyrën me të cilën shuhej dhe ylli i fundit i mëngjesit. Thuhet se në momentin që u zhduk ky yll, u zhduk dhe Sindarta. Atëherë Lindi Buda!. Në një moment kaluan përpara tij 6 vitet e sorollatjes si një makth, por ato mbetën në të kaluarën .
Buda u ndriçua!
Një fshatar i varfër priste shumë ditë që të ftonte Budën në shtëpinë e tij. Një ditë herët në mëngjes qëndroi afër pemës nën të cilën po flinte Buda për të qenë i pari që do ta ftonte.
Kur Buda u zgjua, fshatari i tha:
– Të lutem pranoje ftesën time. Ëndërroja për shume vite dhe mezi e prisja momentin që do të vizitonit shtëpinë time. Jam njeri i varfër dhe nuk mund të ofroj shumë gjëra, por të lutem mos e refuzo ftesën time.
Buda ju përgjigj se do të shkonte.
Në të njëjtin moment arriti qeveritari i krahinës i shoqëruar nga shumë njerëz, i cili i tha Budës:
– Të ftoj në pallatin tim. Ma bë këtë nder.
Buda i tha qeveritarit:
– Sot nuk do të mundem, pasi tashmë i kam premtuar këtij njeriu. Tryeza e varfër e fshatarit kishte vetëm një ushqim: ishin kërpudha kukarmuta , që rrallë herë janë helmuese. Fshatari i shkretë nuk e dinte. Kur Buda filloi të hante e ndjeu shijen e hidhur, por megjithatë nuk donte ta thoshte, për të mos mërzitur të zotin e shtëpisë. Kështu Buda hante kërpudhat helmuese dhe njeriu i varfër ishte i lumtur.
Buda u kthye tek nxënësit e tij dhe helmi filloi të vepronte duke i krijuar dhimbje të mëdha. Doktori kur e vizitoi i tha:
– Gjendja është shumë e vështirë. Helmi ka penetruar në gjak dhe është e pamundur të shpëtohet. Buda do të vdesë.
Buda u tha nxënësve të tij që u mblodhën përreth tij:
– Është një njeri i shkëlqyer. Ushqimin e parë ma dha nëna ime dhe të fundit ai. Nëna ime më ndihmoi të shikoj këtë botë dhe ai më ndihmoi të shikoj botën tjetër. Duhet të silleni me respekt ndaj tij.
Nxënësit e tij ishin shumë të mërzitur dhe Ananda tha me zemërim:
-Çfarë thua Mësues?! Ta respektojmë ashtu sikur nënën tuaj? Ai është vrasës! Dhe meriton vdekje për atë që bëri.
Buda i tha nxënësve të tij:
– Po, e di se mund të vrisni atë njeri të shkretë, por ju do të bëni atë që po ju them unë, pasi Buda pranon helm, por ofron dashuri.
Një Brahman (klerik) i famshëm pyeti Budën, se çfarë veçorish kishte sakrifica supreme. Dhe Buda i tregoi një histori me një mbret të fuqishëm që jetonte shumë shekuj më parë. Pas një lufte të madhe ku arriti të sundonte gjysmën e globit, dëshiroi të bënte në nder të perëndive një sakrificë të madhe.
Kështu thirri një shenjtor shumë të njohur dhe kërkoi këshillën e tij për të plotësuar dëshirën e tij. Duke ju përgjigjur, shenjtori i tha mbretit, se fillimisht duhet ti jepte shtetit qetësinë, prosperitetin dhe sigurinë dhe vetëm atëherë do të mund të bënte sakrificën. Nuk duhet të vritet asnjë qenie e gjallë. Duhet të hidhen në humnerën e Malit të Shenjtë njëqind kova qumësht, gjalpë dhe mjaltë. Dhe vetëm kështu sakrifica do të arrinte qëllimin e saj.
Në vazhdim, Buda vijoi:
– Por ekziston një tjetër sakrificë, që është shumë më e lehtë dhe më supreme, të ndërtosh një Tempull për Zotin dhe për nxënësit e tij.
Por ekziston edhe një sakrificë më supreme nga e kaluara, të ndërtosh brenda teje Tempullin e të vërtetës dhe kurrë të mos vrasësh qenie të gjallë dhe të shmangësh gënjeshtrat.
Por ekziston dhe sakrificë më supreme, kur dikush bëhet murg dhe refuzon të gjitha gëzimet dhe hidhërimet e kësaj bote.
Por për njeriun e thjeshtë sakrifica supreme është , të arrijë me fuqinë e shpirtit të tij sigurinë se nuk e prekin të mirat e materialeve e kësaj bote.
Momentin që Buda u bë i Ndriçuar ishte nata e Hënës së Mbushur. Të gjitha mërzitë dhe shqetësimet e tij u zhdukën, sikur të mos kishin ekzistuar asnjëherë, sikur dikur ishte i fjetur dhe tani u zgjua. U zhdukën të gjitha problemet dhe pyetjet e papërgjigjura që më parë e torturonin. Ndjente plotësinë e Ekzistencës dhe Bashkimin me Natyrën.
Pyetja e parë që i lindi në mendjen e tij ishte : ‘’Si mund të shpreh të gjitha ato që mendoj? Duhet t’ju shpjegoj bukurinë e së Vërtetës, duhet t’ju tregoj Realitetin. Por si do ta bëj?’’
Kjo ishte një pyetje që torturonte çdonjërin nga ata që u ndriçuan dhe njohën të vërtetën.
Njerëz nga e gjithë bota erdhën për të parë , pasi të gjitha qeniet kanë tendencë të drejtohen drejt Dritës.
Mendimi i parë që shprehu ishte: ‘’Çdo mendim i shprehur është një gënjeshtër’’. E tha dhe pastaj heshti. Heshtja zgjati shtatë ditë. Kur e pyesnin për diçka ai ngrinte dorën e tij me një ton të rëndë dhe me gishtin e tij tregonte drejt qiellit.
Miti thotë se : ‘’Zotat mbi qiell u shqetësuan. Përfundimisht mbi tokë u shfaq një njeri i Ndriçuar. Ky është një fenomen shumë i rrallë! U shfaq mundësia për tu bashkuar bota e njerëzve me Botën Superiore… por njeriu i cili mund të bëhej urë midis Qiellit dhe Tokës nuk flet. Pas shtatë ditësh Zotat bashkë me mbretin e tyre Indra, zbritën në tokë dhe takuan Budën. Prekën shputën e tij dhe i kërkuan të mos mbetej i heshtur.
Buda ju tha:
– Shtatë ditë mendohem mbi gjërat pro dhe kundër, dhe akoma nuk shikoj arsye se përse të flas. Fillimisht nuk ekzistojnë fjalë që të mund të shpreh eksperiencën time të mrekullueshme. E dyta, gjithçka që do të them nuk do të bëhem i kuptueshëm. E treta, 99 personave nga 100 përvoja ime nuk do t’ju ofrojë asgjë, ndërsa ai që është i aftë, mund ta gjejë dhe vetë të Vërtetën. Përse t’ia heq këtë mundësi? Ndoshta kërkimi i të vërtetës do të zgjasë shumë më tepër. Dhe çfarë ndodhi? Përpara tij çdonjëri ka shumë shekuj!
Atëherë Zotat i thanë:
– Ndoshta do të prishet bota meqenëse zemra e Perfektit preferoi Heshtjen. Buda i madh duhet të predikojë Doktrinat e tij. Mbi tokë ekzistojnë njerëz me shpirt të pastër të çngulitur nga materializmi, por nëse doktrina jote nuk do të prekë zemrën e tyre, atëherë ata do të vdesin. Ata kanë nevojë një shtytje të lehtë, një fjalë të drejtë. Vetëm ti do të mund ti ndihmoje të bëjnë hapin e vetëm të drejtë drejt të Panjohurës.
Mbizotëroi heshtje… pastaj Buda mbylli sytë e tij dhe tha:
– Sigurisht, do të flas për ata të paktët. Nuk kam kaq fuqi për tju treguar të gjithë të Vërtetën, por mund t’ju tregoj Yllin udhëheqës.
Një njeri erdhi tek Buda dhe e pështy në fytyrë. Buda fshiu fytyrën e tij dhe e pyeti:
– Vetëm kaq? Mos do ndonjë gjë tjetër?
Ananda kur e pa u vërsul i zemëruar, duke thirrur me keqdashje:
– Mësues! Më lejo ta ndëshkoj këtë njeri mediokër!
– Ananda, u bëre Sanias( njeri që braktisi gjërat botërore dhe dedikoi jetën e tij Zotit), por disa herë e harron këtë gjë, tha me qetësi Buda, nuk e kuptove se si ky fukarai ka vuajtur shumë, shikoji sytë e tij që u skuqën nga zemërimi. Me sa duket nuk ka fjetur gjithë natën përpara se të bënte këtë veprim. Pështyma ishte rezultati i kësaj çmendurie dhe tani ndoshta u çlirua nga dashakeqja e tij. Duhet të tregosh dhembshuri, ndërsa ti do ta vrasësh dhe të bëhesh i çmendur si ai!
Një herë Sindarta banonte afër Sabatit, në Xhetavana, në manastirin Anata Pindika. Atje një mëngjes, pasi u vesh dhe mori kupën dhe mantelin e tij, u fut në Sabati për të kërkuar lëmoshë.
Në atë kohë në shtëpinë e Brahmanit Agika ndizej zjarri i sakrificës dhe ofertat ishin mbledhur. Atëherë Sindarta dukë lypur derë më derë, arriti në shtëpinë e Brahmanit Agita. Agita duke e parë nga larg Sindartën i bërtiti: ‘’Ndalo atje morracak! Ndalo atje Sramana gjynahqar! Ndalo atje i degraduar!’’ kur dëgjoi këto fjalë Sindarta ju përgjigj me këtë mënyrë Brahmanit:
»A e di o Brahman se çfarë është një i degraduar apo gjërat që bëjnë një njeri të degraduar? Dëgjo o Brahman të ti them. Njeriu që ka urrejtje dhe që zemërohet, që është keqdashës dhe hipokrit, që beson në mendime të gabuara, që është mashtrues, mëso se ky njeri është degraduar.
»Ai që në këtë botë dëmton qenie të gjalla si të jetë si të mos jetë i dyherëlindur (initacionant) dhe tek i cili nuk ekziston dhembshuri për qeniet e gjalla, mëso se ai është i degraduar.
» Ai që shkatërron apo rrethon qytete dhe fshatra dhe njihet si armik, mëso se ai është i degraduar.
» Ai që vjedh, ai që thotë gënjeshtra, mëso se ai është i degraduar.
» Ai që pavarësisht se është i aftë, nuk mirëmban nënë apo babain e tij kur të jenë plakur, mëso se ai është i degraduar.
» Ai që , kur pyetet se çfarë është e mirë, jep këshilla të këqija dhe mban sekrete, mëso se ai është i degraduar.
» Ai që ka kryer një mëkat, dhe që shpreson që mos ta marrë vesh njeri se e bëri ai, dhe bën keq fshehurazi, mëso se ai është i degraduar.
» Ai që vjen në orën e ushqimit, dhe i kërkon me fjalë si një Brahmani ashtu si edhe një Sramana dhe ata nuk i jep asgjë, mëso se ata janë të degraduar.
» Ai që është i mbështjellë në padituri, dhe nuk fal asgjë, por flet në mënyrë të pahijshme, mëso se ai është i degraduar.
» Ai që lartëson veten e tij dhe ndjen neveri për të tjerët për arsye të krenarisë, duke qënë ai vetë i ulët, mëso se ai është i degraduar.
» Ai që shan Budën (të ndriçuarin) apo nxënësit e tij, një lypës që sillet apo një nikoqir, mëso se ai është i degraduar.
»Ai që nuk është shenjtor por megjithatë hiqet si i tillë, ai është hajduti më i madh në të gjitha botët dhe është me të vërtetë më i keqi nga të degraduarit.
Ata që të kam përshkruar me të vërtetë quhen të degraduar. Nuk bëhet që nga lindja e tij dikush i degraduar, dhe as nuk bëhet dikush që nga lindja e tij Brahman. Nga veprat e tij bëhet dikush i degraduar dhe nga veprat e tij bëhet dikush Brahman.
Buda ishte i ulur në hijen e pemës Vajan kur ju afrua një princ i fuqishëm mbi kalin e tij madhështor, i cili ishte i mbuluar me një mbulesë të shkëlqyer. Pas tij ekzistonte një grup i madh njerëzish oborrtarësh dhe roje personale. Pasi e përshëndeti , i kërkoi të bëhej nxënësi i pranuar i tij. Buda ju përgjigj se ai nuk ishte gati akoma.
Princi, i turpëruar u kthye në pallatin e tij dhe filloi të meditojë mbi arsyen se përse e kishte refuzuar i Ndriçuari. Arriti në konkluzionin se gabimi i tij ishte mënyra e shfaqjes së tij përpara atij që dëshironte të bëhej mësuesi i tij. Ajo mënyrë aq luksoze nuk ishte e drejtë.
Kaloi një vit dhe princi u ri paraqit përpara Budës. Këtë herë ishte i vetëm dhe në këmbë, i veshur shumë thjeshtë. I bëri të njëjtën kërkesë, por mori të njëjtën përgjigje negative. Princi, që interesohej me të vërtetë për të mësuar nga i Ndriçuari, u dëshpërua kur pas shumë meditimesh nuk kishte arritur të kuptonte se cila ishte mënyra e duhur për tu paraqitur përpara Mësuesit.
Kështu pas një viti ju afrua Budës shumë heshturazi, i veshur me thjeshtësinë më të madhe dhe kur Buda hapi sytë e tij dhe i nguli mbi të, princi u ul në gjunjë dhe i lutej ta testonte , ti jepte një mundësi sado të vogël, pasi ankthi dhe stresi që ndjente, që nuk kishte as mundësinë për tu testuar, i shteronte besimin dhe i shkatërronte jetën.
Sindartës i erdhi keq për të dhe i tha se gjatë vitit që do të fillonte do të shkonte ai vetë ta takonte. Prince kërcente nga gëzimi i tij dhe i premtoi se nëse ai e bënte një gjë të tillë, do ti përgatiste një pritje madhështore dhe se do ta mbushte me pasuri dhe me lavdi. Buda mbylli përsëri sytë dhe vazhdoi meditimin e tij.
Pasi kaloi viti, princi ju afrua përsëri Budës, shumë i dëshpëruar. Ra në këmbët e tij dhe me lot në sy i tha se ai nuk kishte vajtur në takimin që i kishte premtuar, pasi ai e priste një vit të tërë dhe nuk e kishte parë.
Sigurisht që më pe, i tha Buda. Dhe më largove nga afër teje me shqelma.
Prince , i tmerruar u betua 100 herë se nuk kishte bërë diçka të tillë.
Buda i tha:
– E mban mend atë plakun që tu afrua gjatë paradës kur ti po kalëroje, dhe që ti e përzure me shqelma? Ai isha unë.