KATALLANI NË MITOLOGJINË SHQIPTARE

Personazh mjaft i njohur i demonologjisë primitive, të cilin e ndeshim me emra të ndryshëm në shumë popuj e shumë kultura. E gjejmë në Jug e në Veri të Shqipërisë, herë si Tatëgjysh i parë, herë si Katalla e herë si Syqenhenjeri. Përfytyrohet si një farkëtar i madh nga shtati, i egër e me një sy në ballë, pa gjunjë e me këmbë të drejta si direku, që ha njerëz. Në jugun e Shqipërisë, e sidomos në Labëri e në anët e Korçës, ku del më dendur, ai quhet Syqenhenjeri, emër që s’është gjë tjetër porse bashkim i dy kompozitesh, me kuptimin “syqen që ha njerëz”. At Shtjefën Gjecovi e identifikon me ciklopin Polifem të Homerit. Por duhet thënë se i pari që shqoi te Polifemi natyrën ilire, qe Mjeda. Shumë studiues, si Hackamani, Skileri, Bolta, Bendesi etj., mbrojnë pavarësinë kohore të motivit të ciklopit ndër popujt jogrekë të Ballkanit, përfshirë edhe ilirët, përkundrejt ciklopit të mitit grek. Emri Katalla del edhe te G. Meyeri, por me kuptimin “pagan”. Quhet edhe Vigan-i, Gjigant-i, Div-i, Dif-i, Lutran-i, Lutura, Katalla, Symoll-i (Mat), Symadh, Syqorr, Syqen, Syqenhenjeri, Sykëlysh, Tatëgjysh i Parë, Gavell-i (Sh. Gjecovi), Garravell-i (F. Alkaj), Dragumën-i (Frashnjet), Rekës-i (arbëreshët e Greqisë). Emri i tij jeton edhe në toponime: Fusha e Katallajve (Shllak), Vorret e Katallajve (Shllak), Përroi i Vigjanit (pranë Mullenës), si dhe në një patronim, të përmendur më 1517, M. Catalano në Tivar. Në shekullin XV, te arbëreshët e Italisë na del një Katallan, bashkë me disa familje Catalano.

Marrë nga Fjalori i Mitologjisë dhe Demonologjisë Shqiptare.


  • Postuar më: 04 Shtator, 2017