Figurë e besimeve popullore shqiptare. Shpirti i të vdekurit, burrë a grua qoftë, që ka qenë njeri i keq, me veti e zemër të ligë, ngrihet Lugat. Mbase këtë do të thotë edhe ajo pjesë e besë së Mujit, që mbaron me vargun: “Zirma, tokë, përjashta në natë të vorrit!” Lugati pra është kufomë, dhe ka thonj shumë të gjatë. Në Kosovë besonin se Lugat ngrihej edhe i vdekuri që nuk i është vënë pranë fillorja e pushkës, masha, drapëri ose ndonjë hekur tjetër, sepse, me sa duket, hekuri i mban larg të gjithë shpirtërat, të mirë a të këqinj qofshin ata.
Shëmbëllyeshëm me Kosovë, në Shqipërinë e Veriut gjithmonë vinin në varr një lopatë ose shatë, gjersa të kalbej trupi përfundimisht, më qëllim që djalli të mos vinte aty rrotull dhe ta merrte të vdekurin. Sepse, sipas besimeve popullore, djalli hyn në trupin e të vdekurit dhe del jashtë varrit. Që ta parandalonin këtë gjë, në Kosovë shkonin dhe e ruanin varrin e të vdekurit për tri netë rresht, sepse mendohej se gjatë këtyre tri netëve do të vinte djalli, natën e parë i veshur me petka të bardha, të dytën me të kuqe dhe të tretën me të verdha. Në Korcë, të vdekurin nuk e linin natën vetëm, sepse kishin frikë se po ta kapërcente një mace, ai do të ngrihej si Lugat. Lugati ringjallej pas shtatë ditësh, shkonte natën në shtëpinë e tij dhe hante pak miell. Po të ishte grua, merrte ushqime, plackiste ç’të gjente dhe i fuste në varrin e saj.
Të premten nuk dilte, por tre-katër netët në vazhdim shkonte dhe trazonte në shtëpinë ku kish vdekur. Kur të gjallët bëheshin të vetëdijshëm për të, e kuptonin se do të kishte qënë “ajo”. Në Poliçan besohej se Lugetërit shfaqeshin vetëm midis muslimanëve, kurse në Kurvelesh vetëm midis të krishterëve. Lugati mund të marrë trajta të ndryshme: trajtë caliku (shakulli), që rri në kuzhinë, në shtrat ose mbi menderin ku flenë gjindja, të një thithlope të madhe, të një qeni, që rri në fund të shtratit të së shoqes, të njeriut, ashtu siç ka qenë edhe në gjallje, por i mbështjellë me qefin. Në kësi rastesh lëviz duke u tërhequr zvarrë, me dashjen e tij, ose po sepse e heqin zharg dreqërit. Në ferrat që has në udhë lë gjithandej copa qefini.
Vetë gërthet me zë të tmerrshëm. Lugati u shfaqet në shtëpi të vet gruas dhe shërbëtorëve të gjalljes. Nga shëmbëlltyrat që ka më shumë qejf të marrë janë ato të koteleve dhe të koneve. Punët e Lugatit janë të shumta, por më tepër i pëlqen të veja në qilar dhe të përziejë gjalpin, orizin, sheqerin dhe miellin në magje, të cjerrë gratë në fytyrë, të bezdisë bagëtinë, të përmbysë qypat e butet. Në trajtë të vërtetë njeriu, ashtu siç ka qenë para se të vdiste, i rrëfehet vetëm të shoqes, së cilës i hyn në shtrat. Në këtë mënyrë mund të lindet një Vampir. Ardhja e Lugatit në shtëpi mund të kuptohet nga lehjet e qenve, që zënë kuisin. Në këtë kohë del një njeri nga të shtëpisë dhe pyet: Cili je? Lugati thotë emrin e vet dhe i lutet që t’ia bëjë hallall të drejtën, ose fajet që ka bërë në gjallje.
Deri sa njeriu i shtëpisë t’i thtë se ia bën hallall, Lugati vjen kurdoherë natën dhe shqetëson njerëzit duke u ankuar. Tregojnë se një herë zuri dashuri në një vajzë, së cilës i shkonte natën dhe e stoliste me rroba të mira e me gjerdane. Kur e morën vesh prindërit, e cuan vajzën në një fshat tjetër, po Lugati e ndoqi edhe aty. Atëherë thirrën një hoxhë, i cili e këndoi, duke e mërguar Lugatin në një tjetër vend. Në një fshat tjetër, Lugati vente natën në një shtëpi të këtij fshati, hapte dyert dhe bënte dëme.
Atëherë të zotëte e shtëpisë thirrën priftin, i cili u that ë bëjnë një kulac, ta mbështjellin me një pëlhurë të bardhë dhe ta varin te pragu i derës. I porosity që aty të varnin edhe një bastun, dhe të mbërthenin në të gjitha dyert lloj-lloj letrsh të bardha, të kuqe, të verdha, të zeza etj. Natën erdhi Lugati, mori kalucin, e co-rri pëlhurën edhe një letër dhe shkoi. Që atëherë s’u duk më. Atëherë i morën letrat dhe një e hodhën në udhëkryq, një në një mulli të shkretë, një tjetër që ta hanin egërsirat dhe tjetër në vreshtë.
Në veriun e Shqipërisë Lugatit i mveshin zënjën e hënës: Lugetërit hanë hënën dhe prandaj malësorët qëllojnë me pushkë në drejtim të saj kur ajo zihet. Për ta zhdukur Lugatin, është zakon që të nxjerrin kufomën nga varri dhe ta djegin. Ndër Shqiptarët e Strugës, ku Lugati mund të marrë edhe trajtën e një plëndësi, përdoret një mënyrë tjetër vrasjeje: ai përvëlohet me ujë të valuar. Sipas tyre, Lugatin mund ta pikasin vetëm qentë që kanë katër sy, dy aty ku i kanë të gjithë qentë, dhe dy të pavërejtshëm në vetulla.
Në jug të Shqipërisë shkonin të premten t’ia zbulonin varrin, i vinin përsipër një turrë me shkarpa, gjysëm oke parafinë nën to, dhe pastaj e digjnin. Por ky veprim ndërmerrej vetëm kur i pllakoste ndonjë fatkeqësi e madhe. Në Korcë këto veprime i bënin të shtunën, kur besohej se Lugati fle. Shkonin dhe hapnin varrin e atij që s’i kish mbushur të dyzetat dhe pot a gjenin në këmbë e digjnin, duke u kujdesur që të mos i linin as shenjë as nishan, se besonin se ngjallej prapë. Këto mënyra të luftimit të Lugatit kanë gjegjëset e tyre edhe në mesin e ilirëve. Kështu ndoshta për tu mbrojtur nga shpirtërat e këqinj të të vdekurve, kufomat e disa të vdekurve nuk i fusnin në varr në pozicion normal, por i vendosnin përmbys, me kokë të ndarë nga trupi ose dhe me gjysmë trupi. Lugatin e bashkojnë me shpirtin e ajrit. Quhet edhe Luvgat-i, Lugjat-i, Kullunxh-i (Mbiudh e Maqellarës-Dibër), Zhikul (arbëreshët e Greqisë), Shikul (arbëreshët e Greqisë), Labic, Vapir-i (Cabej), Baba-u (Santa Sofia d’Epiro, Kozencë), Arman-i (B. Bilota), Arman’je (P. Camodeca: Dizionario), Avi/s-zi (Frascineto), Bobok, Bobua, Bun, Bjukull, Hje, Korrobac, Kukubin, Papacom, Pehmë, Spamëndall, Stihji, Shkërba, Umbër, Facom, Kuk, Kukuban, Garramac, Duarlidhur (euf., Kuteli). Del edhe në toponimi: Ara e Lugatit (Kosovë), Sylugati (fshat në Elbasan, përmendet në shek. XV).
Nana E Votrës
Një nga hyjnitë më të lashta të mitologjisë shqiptare. Mendohet se ajo bart disa tipare të zvetënuara të një hyjnie shumë të lashtë të vatrës, me origjinë mga matriarkati. Fillimisht ajo ishte një figurë positive. Madje, ngandonjëherë Nana e Votrës quhej edhe ”të tretat e vatrës”, pra tri motrat që paërcaktojnë fatin e fëmijës, natën e tretë pas lindjes. Më vonë dhe, sigurisht, me fillimin e rendit të patriarkatit, vetitë e saj ndryshuan. Ashtu siç përfytyrohet tani, Nana e Votrës u rrëfehet plakave që rrinë shumë vonë natën duke tjerrur li ose lesh. Ajo fanitet në trajtën e një plake të keqe flokthinjur që rri gërmuq bri vatrës. Ndodh që, kur ngrihet nusja në mëngjes për të ngrohur ujë, sheh në vatër një plakë që kreh flokët me krëhër apo që tjerr. Nusja kujton se është e vjehrra: i flet, por ajo s’përgjigjet. Kështu ajo e kupton se është Nana e Votrës. Po të gjejë ndonjë fëmijë kur kreh flokët, ajo e kap dhe i nxjerr sytë me krëhërin e saj të hekurt. Në zona të ndryshme njihet edhe si: E Ëma e Vatrës, Shtriga e Vatrës, Plaka e Vatrës (Mat), Shtriga, Shtrigat, Nëna e Vatrës (Tomorricë), Nënat e Vatrës, Mëmat e Vatrës, Xhuxhet eVatrës (Myzeqe), Mëma e Vatrës (në fshatrat e Vlorës) etj.
Marrë nga Fjalori i Mitologjisë dhe Demonologjisë Shqiptare.