PANAIRI I LIBRIT 2021

Qendra kulturore dhe filozofike, Akropoli i Ri për të tretin vit rradhazi mori pjesë në eventin më të rëndësishëm kulturor të vitit në vend, Panairin e Librit, Tiranë 2021. Ky aktivitet i shënuar mirëkpriti vizitorë e dashamirës të librit përgjatë pesë ditëve, nga data 17 deri më 21 nëntor.

Në këtë aktivitet organizatës iu dha mundësia të ishte pranë të gjithë pjesëmarrësve me botimet e saj të natyrës filozofike dhe psikologjike të përkthyer përgjatë viteve. Botime të vjetra e të njohura si "Alkimisti" (Jorge Angel Livraga) dhe të reja e të kërkuara si "Karma" (Annie Besant) ndër shumë të tjera. Librat ishin të vendosur në dy ndarje. Njëra me natyrë kryesisht psikologjike ku u rreshtuan libra të tillë si: "Heroi i Përditshmërisë", "Natyra", "Të njohësh vetveten" etj. Nga ana tjetër u vendosën librat me temë filozofike, ku mund të përmendim dy kolonat e filozofisë lindore dhe asaj të rilindjes. Disa nga titujt e këtyre kolonave janë "Dijet e të Lashtëve", "Dhammapada", "Darma" etj.

Shtëpia botuese Akropoli i Ri u rreshtua përkrah 94 shtëpive të tjera botuese pjesëmarrëse nga Shqipëria e bota shqiptare. Përgjatë këtij edicioni panari i hapi dyert për vizitorët pesë ditë, pavarësisht kushteve të kufizimit si pasojë e situatës së shkaktuar nga pandemia, të tilla si masa kundër përhapjes së virusit, si teste për punonjësit e shtëpive botuese, detyrimin e maskave apo mbylljen e panairit për një orë në drekë për ajrosje.

E megjithatē një numër i konsiderueshëm vizitorësh u bënë pjesë e kësaj maratone libri. Shumë të ardhur pati edhe nga trojet e tjera shqiptare vetëm për të qenë pjesë e panairit. Vizitorët shfaqën një interes të madh mbi botimet tona. Sasia e librave të shitur kaloi pritshmëritë dhe këtu ndikim pati edhe ulja e çmimeve dhe ofertat e shumta me të cilat ato u prezantuan. Botimet e shtëpisë botuese Akropoli i Ri dalluan nga shtëpitë e tjera botuese, me çmimet ekonomike që vendosën pavarësisht zvogëlimit të kapaciteteve të vizitorëve me 25% për shkak të pandemisë. Këto oferta u ndërmorën për ti dhënë mundësi të gjithë të interesuarve të jenë pranë librave që janë burimi më autentik i dijes.

Nuk duhet lënë pa përmendur përkushtimi i të gjithë vullnetarëve të cilët bënë të mundur që stenda të arrinte sukses. Çdo aktivitet për mirëmbajtjen dhe funksionimin e stendës u realizua nga vullnetarë. Ishin të rinj dhe të reja që morën përsipër inventarin, sistemimin, shitjen, marketingun, fotografimin, ekonominë etj. Aktivizmi dhe energjia e transmetuar prej tyre u vu re nga të gjithë përgjatë pesë ditëve të panairit. Në të njëjtën kohë ky event shërbeu për ti pajisur këto anëtarë e vullnetarë me aftësi e eksperienca të reja. Përjetime të cilat i bënë të perceptojnë idealet e totalit dhe jetesës në komunitet.


  • Postuar më: 15 Dhjetor, 2021