Këtë figurë të besimeve popullore të Toskërisë e përmend sëpari Hahani dhe e përkthen gjermanisht si “Hundsauge”. Është nga ato figura të demonologjisë, që përcaktohen për nga vetia e saj antropofage. Përfytyrohet si një shtigë me katër sy, dy përpara e dy prapa. Sytë e prapme nuk i duken, sepse i mbulon me shaminë e kokës. Ajo i merr gratë e reja në shtëpinë e saj, i pjek në furrë e i ha. Në përrallë ky personazh ka dhe të bijën që i përngjan, Maron. Sipas Çabejt, Syqenëza e Syqeni, mashkulli i saj, një figurë mashkullore e shëmtuar, mund të jenë reminishenca të Cerberit të mitologjisë greke, që ruante skëterrën.
Marrë nga Fjalori i Mitologjisë dhe Demonologjisë Shqiptare.